L. 1, Rruga Reshit Çollaku, Pogradec info@asamblejabiblike.al +355695720550

Veçanti të Asamblesë Biblike

Krishti themeloi Kishën e Tij në tokë që ta përfaqësojë Atë, të vazhdojë punën e Tij dhe të kujdeset për njerëzit e Tij. Ai e deshi atë dhe sakrifikoi veten e Tij për Kishën (Efesianeve 5:25). Kudo që ungjilli është pranuar janë krijuar kisha lokale. Bibla asnjëherë nuk na tregon se është vullneti i Perëndisë, qoftë edhe për një besimtar të vetëm, që të jetojë i vetëm, i pabashkangjitur me një kishë lokale. Shumica e letrave të Dhiatës së Re u janë drejtuar kishave lokale. Të tjera, si Letra I dhe II e Timoteut janë shkruar për kishat lokale. Veprat e Apostujve na tregojnë për themelimin e kishave lokale. Zbulesa përmban mesazhe për kishat lokale.

Ne mirëpresim në përbashkësi me ne të gjithë ata që e njohin dhe e duan Zotin Jezus si Zot, Shpëtimtar dhe Perëndi. Ne presim nga ata që të jenë të pandotur në ecjen e tyre. Ne i bindemi dy urdhëresave më të mëdha që Zoti Jezus urdhëroi, të cilat janë:

  • Pagëzimi i besimtarit (zhytja në ujë e atyre që e kanë pranuar Krishtin);
  • Thyerja e Bukës ose Darka e Zotit (marrja e përbashkët e bukës dhe e verës në përkujtim të trupit e gjakut të Tij).

Ne nuk jemi të përsosur në kishën tonë ose në jetët tona. Si qenie njerëzore të vdekshme e të dobëta në të gjithë botën, edhe ne kemi gabimet dhe dështimet tona. Nga ana tjetër ne nuk mund të tolerojmë praktikimin e disa gjërave, si: imoraliteti, veprimet përçarëse e shkatërruese, sjelljen e pahijshme, të pandershme dhe të turpshme nga ata që shpallin emrin e Krishtit dhe kanë bashkësi me ne.

Ne nuk jemi e vetmja kishë vendore e drejtë dhe as nuk kemi monopolin mbi të vërtetën. Ne nuk themi që gjithë të tjerët e kanë gabim dhe vetëm ne kemi të drejtë. Ne i pranojmë si shokë besimi dhe fëmijë të Perëndisë të gjithë ata që i përkasin Krishtit nëpërmjet mrekullisë së lindjes së re (rilindja frymërore Gjoni 3:3).

Doktrinat bazë dhe kryesore të besimit të krishterë janë ato që ne i kemi të përbashkëta me gjithë besimtarët e vërtetë. Vdekja e Jezusit për mëkatet tona, ringjallja trupore e Tij nga të vdekurit, hyjnia e Krishtit, pagabueshmëria dhe përsosmëria e Fjalës së Perëndisë (Bibla), shpresa e qiellit për të shpëtuarit (siguria e shpëtimit) dhe dënimi i përjetshëm i të humburve janë disa shembuj. Përveç këtyre të vërtetave, ne kemi të përbashkët me shumë kisha të tjera (jo me të gjitha) disa besime, si: pagëzimi i besimtarit (jo i foshnjave) dhe kthimi i Zotit Jezus Krisht për të rrëmbyer kishën e Tij përpara periudhës së Mundimit të Madh dhe Mijëvjeçarit.

Ne kërkojmë të jemi besnikë ndaj Zotit dhe parimeve të Fjalës së Tij ashtu si e kuptojmë atë. Ne nuk jemi nën autoritetin ose juridiksionin e asnjë lloj sistemi kishtar ose hierarkie të çdo lloji. Ne nuk përdorim emra denominacionalë dhe parapëlqejmë të quhemi vetëm me emrat që janë përdorur në Bibël për të gjithë të krishterët, si: besimtarë, shenjtorë, dishepuj, vëllezër ose motra në Krishtin dhe bij të Perëndisë. Emrat denominacionalë nuk do t’i dallojnë njerëzit e Perëndisë në parajsë, prandaj dhe ne nuk duam t’i përdorim ata këtu në tokë.

Ka disa parime në jetën e Asamblesë Biblike Pogradec që na dallojnë, por nuk na ndajnë nga besimtarët e tjerë që janë besnik ndaj Krishtit. Kjo do të thotë që ne bashkëpunojmë me besimtarë të tjerë ose kisha të tjera që janë besnike ndaj Krishtit kur interesi ynë i përbashkët e bën këtë gjë të mundur. Nga ana tjetër ne kemi të kuptuarit tonë të Fjalës (Biblës), që mund të jetë i ndryshëm nga ai i të tjerëve në çështjet e funksionimit të kishës. Ndër këto gjëra përmendim si më poshtë:

  • Krishti është Kreu i vetëm i kishës (Efesianeve 5:23, Kolosianeve 1:8) dhe qendra e të mbledhurit tonë, jo një organizatë dhe as një udhëheqës kishe. Ne besojmë që çdo kishë lokale është drejtpërsëdrejti përgjegjëse vetëm ndaj Krishtit dhe ndaj askujt tjetër.
  • Çdo besimtar në Krishtin është një prift (1 Pjetrit 2:5-9) dhe një shenjtor (1 e Korintasve. 1:2). Nuk ka ndonjë ndarje në Bibël midis një besimtari si prift në njërën anë dhe një njeriu të zakonshëm në anën tjetër. Nuk ka asnjë bazë biblike për të mësuar që vetëm një klasë njerëzish, që kanë përjetuar një ceremoni emërimi, i janë dhënë të drejtat e vetme për të kryer funksionet biblike, ndërkohë që të tjerëve u mohohet kjo mundësi. Tërë sistemi klerik apo priftëror në kishë është jobiblik.
  • Çdokujt në Krishtin i është dhënë një dhunti frymërore në mënyrë që ta përdorë për të ndërtuar të tjerët në kishë (Efesianeve 4:11-12 dhe 1 e Korintasve 12:1-31). Ne besojmë që besimtarët duhet të nxiten t’i përdorin këto dhunti në funksion të kishës. Nuk është e pëlqyeshme që të kemi një skuadër profesionale shërbimi frymëror të paguar për të shërbyer në bashkësi. Është e nevojshme që vetë besimtarët të përfshihen në shërbesë.
  • Ne shikojmë që në Dhiatën e Re struktura e takimeve në kishë është e tillë që dëshmon një bindje ndaj mësimeve të Biblës, mundësi për bashkësi midis shenjtorëve, një takim i rregullt për Darkën e Zotit dhe përkushtim në lutje (Veprat e Apostujve 2:42 ). Sa i përket Darkës së Zotit, ne gjithashtu shikojmë që Dhiata e Re tregon një zbatim të përjavshëm të kësaj feste përkujtimore (Veprat e Apostujve 20:7). Duhet të ekzistojë mundësia për pjesëmarrje të përbashkët adhurimi në përputhje me 1 e Korintasve 14:26, 29, 34. Në të gjitha takimet e kishës motrat tona mbulojnë kokën e tyre me shami ashtu si mësohet tek 1 e Korintasve 11:2-16
  • Ne besojmë që drejtimi i kishës duhet të jetë në shumësi. Megjithëse misionarët dhe themeluesit e kishave shpeshherë formojnë një kishë lokale me anë të punës së një individi, është modeli i Shkrimeve që të kemi një udhëheqje në shumësi (Filipianeve 1:1, Veprat e Apostujve 20:28, Tit. 3:5-9 dhe 1 Tim. 3:1-13). Kjo nuk do të thotë që njerëz të veçantë nuk mund të kenë një udhëheqje të posaçme ose dhunti të të folurit që janë të dalluara.

Ka disa privilegje për ata që bëjnë pjesë në bashkësinë tonë lokale. Disa nga këto janë:

  • Përkujdesje baritore nga ata që kanë përgjegjësi për shpirtrat e besimtarëve (Heb. 13:17 dhe 1 Pjetrit 5:2-4);
  • Mbështetje të ndërsjelltë në një trup, ku besimtarët i janë përkushtuar njëri-tjetrit dhe bashkësisë si një e tërë;
  • Mësime nga Fjala e Perëndisë;
  • Një vend për adhurim të përbashkët, lutje të përbashkëta, shërbesa të përbashkëta, dëshmi të përbashkëta dhe mbështetje të përbashkët.
  • Mësim dhe ndihmë për fëmijët, kryerja e martesave, varrimeve, vizitave ndaj të sëmurëve, ndihmë për familjet në problem.
  • Pjesëmarrje në punën misionare nëpërmjet mbështetjes dhe ndihmës financiare për misionarët, sidomos për ata që punojnë jashtë rrethit dhe vendit.

Në kishë ka dhe përgjegjësi që përputhen plotësisht me këto privilegje. Disa nga këto janë:

  • Të jetosh një jetë të denjë si ndjekës i Zotit Jezus, që mund të jesh një shtyllë për Të dhe për kishën (Kolosianeve 1:10, Efesianeve 5:1-2).
  • Të jesh plot me respekt ndaj këshillave të udhëheqësve në kishë dhe të lutesh për ta (1 Thes. 5:12-13, Heb. 13:17).
  • Të jesh pjesëmarrës në funksionet tona të përbashkëta sipas aftësive që Perëndia të ka dhënë. Ji i gatshëm për të shërbyer e ndihmuar. Nuk duhet të vish vetëm si një dëgjues i mësimeve (1 e Korintasve 12:4-7, 11-12, Efesianeve 4:12).
  • T’i japësh Perëndisë dhe punës së tij nëpërmjet kishës tënde vendore (1 e Korintasve 16:1-2). Përgjegjësia financiare fillon në shtëpinë frymërore.
  • Të ndjekësh modelin te Veprat e Apostujve 2:42. Qëndro besnik dhe i vendosur në doktrinën e apostujve, bashkësi me vëllezërit, thyerjen e bukës dhe në lutje. Shfrytëzo çdo rast e çdo mundësi për të studiuar Fjalën e Perëndisë me ne dhe për t’u bërë një besimtar i ditur i Shkrimeve.
%d bloggers like this: