L. 1, Rruga Reshit Çollaku, Pogradec info@asamblejabiblike.al +355695720550

Çfarë ne besojmë

1. Bibla është e frymëzuar nga Perëndia, e pagabueshme në dorëshkrimet origjinale dhe ka autoritet absolut në të gjitha çështjet e besimit, shkencës dhe praktikës.

2. Ka një Perëndi, që ka ekzistuar përgjithmonë në tre persona – Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë.

3. Zoti Jezus Krisht është plotësisht Perëndi, i lindur nga një virgjëreshë, krejtësisht i pamëkatë. Flijimi i Tij ishte zëvendësues dhe përfaqësues. Ai u ringjall trupërisht prej së vdekurish dhe u ngjit në të djathtën e Atit të Tij, ku tani Ai na shërben si Kryeprifti ynë i madh. Ai do të vijë të rrëmbejë Kishën e Tij dhe më pas do të kthehet për të mbretëruar mbi tokë.

4. Çdo individ i racës njerëzore është i rënë, mëkatar dhe i humbur dhe ripërtëritja nga Fryma e Shenjtë është plotësisht e domosdoshme për shpëtimin e njeriut. Shpengimi është tërësisht me anë të gjakut të Krishtit dhe shpëtimi është me anë të hirit, nëpërmjet besimit në Zotin Jezus Krisht.

5. Fryma e Shenjtë banon brenda besimtarit, i cili është i vulosur deri në ditën e shpengimit dhe fuqizohet që të jetojë një jetë të perëndishme.

6. Do të ndodhë një ringjallje e të shpëtuarve dhe e të humburve, e të shpëtuarve për në jetë të përjetshme dhe e të humburve për në gjykim të përjetshëm e të vetëdijshëm.

7. Kisha filloi me zbritjen e Frymës së Shenjtë në Ditën e Rrëshajave dhe përbëhet nga të gjithë besimtarët e vërtetë në Zotin Jezus Krisht. Këta besimtarë janë një në Të dhe me njëri-tjetrin nëpërmjet Frymës së Shenjtë që i brendabanon. Kjo do të thotë që Kisha si e tërë, nuk është një organizatë, por një organizëm i gjallë, e njohur si Trupi i Krishtit.

Thirrja e Kishës, shpresa dhe fati i saj janë qiellore dhe funksionet e saj kryesore janë për të lavdëruar Perëndinë dhe për të dëshmuar Krishtin deri në kthimin e Tij. Kisha lokale përbëhet nga besimtarët e një lokaliteti, të cilët mblidhen në Emrin e Krishtit për adhurim, lutje, ndërtim dhe dëshmi. Udhëheqja dhe disiplina janë përcaktuar hyjnisht në Letrat si përgjegjësi të kishës lokale.

8. Krishti, Kreu ynë, është dhënësi i dhuntive të tilla si ungjilltarë, barinj dhe mësues dhe këta njerëz janë përgjegjës ndaj Tij për shërbimin e tyre. Dhuntitë janë dhënë “për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e Trupit të Krishtit”.

9. Ka dy urdhëresa të krishtera, pagëzimi dhe Thyerja e Bukës. Pagëzimi me zhytje simbolizon se besimtari, i vdekur me Krishtin, varroset me Të në pagëzim dhe gjithashtu ringjallet me Krishtin për të ecur në risinë e jetës. Thyerja e Bukës është një festë përkujtimore, e caktuar nga vetë Zoti për të Tijët. Në zbatimin e kësaj feste, besimtarët e përkujtojnë Atë; ata shpallin vdekjen e Tij derisa Ai të vijë.

10. Çdo fëmijë i vërtetë i Perëndisë zotëron jetë të përjetshme dhe, duke qenë i shfajësuar, i shenjtëruar dhe i vulosur me Frymën e Shenjtë, është i sigurt për përjetësinë. Megjithatë, për shkak të mëkatit, një i krishterë mund të humbasë përbashkësinë e tij, gëzimin, forcën, dëshminë dhe shpërblime dhe të pësojë ndreqjen e Atit. Marrëdhënia është e përjetshme, e vendosur nëpërmjet lindjes së re; ndërsa përbashkësia është e varur nga bindja.

11. Kthimi i vetë Zotit Jezus Krisht për të marrë Kishën e Tij është i afërt, një ngjarje që përfundon këtë epokë të tashme të hirit. Kjo do të pasohet nga derdhja e zemërimit të Perëndisë mbi tokë, e njohur si Mundimi i Madh. Mbas kësaj, do të vendoset Mbretërimi Mijëvjeçar i Krishtit dhe “dheu do të mbushet me diturinë e lavdisë së Zotit, ashtu si ujërat mbushin detin”. Në mbarim të Mbretërimit të Tij Mijëvjeçar, Krishti do t’ia dorëzojë Mbretërinë Perëndisë Atë, që Perëndia trini të jetë gjithçka në të gjithë.

%d bloggers like this: