L. 1, Rruga Reshit Çollaku, Pogradec info@asamblejabiblike.al +355695720550

KUJTONI – Ne kujtojmë shpesh atë që duhet të harrojmë – dhe anasjelltas

Aftësia për të mbajtur mend është njëri faktor që dallon nga bota e kafshëve. Të moshuarit (dhe ata jo aq të moshuar) na thonë që mund të mbajnë mend ngjarje para 30 vjetësh, por nuk u kujtohet se ku i kanë lënë syzet. Shpjegimin e mekanikës së kujtimeve tona do t’ia lëmë ekspertëve. Por ne e dimë që Perëndia na udhëzon të kujtojmë disa gjëra.

Ndonjëherë i kujtojmë gjërat sipas vetvetes, gjëra që nuk ia vlen t’i kujtojmë. Fakti që diçka na vjen në mendje dhe kërkon vëmendjen tonë, nuk do të thotë medoemos se është e denjë për vëmendjen tonë. Shumë gjëra janë më mirë që të nxirren jashtë, që mendja të jetë e lirë për t’u mbushur me gjëra të shëndetshme dhe të dobishme.

Bibla është e mbushur me ushtrime për kujtesën tonë. Ja disa:

1. Mos harroni mikpritjen [të prisni të huajt], sepse disa duke e praktikuar e priten pa ditur engjëj! (Heb. 13:2). I huaji është dikush që tashmë nuk është pjesë e jona në përbashkësinë lokale. Është e trishtueshme të dëgjosh raporte nga besimtarë dhe jobesimtarë rreth vizitës në një asamble dhe «askush nuk më foli». Po me vizitorët? A i përshëndetim? A tregojmë interesim? A do t’i ftonim në shtëpi ose diku tjetër për drekë? Është e vërtetë që «kishat» janë një shënjestër për dembelët që kërkojnë lëmoshë. Por, sigurisht, këto janë përjashtime, jo norma. I huaji mosbesues tronditet zakonisht nga miqësia e vërtetë dhe e ngrohtë. Ndonjëherë është dëshmia e parë e ungjillit që ata dëgjojnë. Ka besimtarë të thyer dhe të hutuar në kërkim të qëndrueshmërisë dhe së vërtetës në përbashkësitë e krishtera dhe ata duhet ta shohin këtë në veprim. Mos harro të huajt.

2. Kujtoni të burgosurit [ata që janë në pranga] si të ishit të lidhur bashkë me ta, dhe ata që keqtrajtohen, sepse edhe ju vetë jeni në trup (Heb. 13:3). Autori këtu ka mundësi të jetë duke menduar për besimtarët në burg për hirin e ungjillit. Ose ndoshta më në përgjithësi, për ata që ndodhen në çdolloj vështirësie. Ne duhet t’i kujtojmë ata, sepse nuk janë me ne. Besimtarët vuajnë shumë nëpër botë, sepse janë besimtarë. Shumë përballen me burgim ose rrëmbim fëmijësh. A kujtojmë që të lutemi për ta dhe familjet e tyre? Apo ata janë «larg syve, larg mendjes»? Shumë përballen me lloje të tjera prangash: kufizime, rrethana penguese dhe kufizuese. Jobi, edhe pse mund të duket që nuk ka asnjë lidhe të drejtpërdrejtë me të qenit një besimtar, na mëson se armiku vepron në një mori mënyrash. Satani vuri dorën mbi paratë, familjen dhe trupin e tij. Ne jemi të gjithë në trup. Mos harroni ata «që janë në pranga».

3. Kujtoni të parët tuaj, që ju shpallën fjalën e Perëndisë dhe, duke çmuar rezultatin e sjelljes së tyre, merrni si shembull besimin e tyre (Heb. 13:7). E konsideroj këtë që iu referohet pleqve. Ne, në fakt, mund t’i harrojmë ata, jo ngaqë nuk janë aty, por ngaqë janë gjithmonë aty dhe duket që kanë qenë gjithmonë aty dhe duket që do të jenë gjithmonë aty. Nuk është një gjë e lehtë të bësh punën e një plaku. Nuk na bëhet ndonjë dëm kur i inkurajojmë ata. Lutjet dhe fjalët e inkurajimit e lehtësojnë shumë barrën e tyre.

4. Kujtoni të vejat (1 Tim. 5:3). Pali e nxiti Timoteun për t’u treguar besimtarëve rëndësinë e kujdesit për të vejat. Ne mund t’i harrojmë të vejat, sepse ato nuk shihen më me familjet e tyre. Përfshijini të vejat në jetën tuaj. Ftojini për drekë, në një koncert, për shëtitje një të shtunë pasdite. Përfshijini ato në aktivitetet për të rriturit, që ato të gëzojnë bisedat dhe bashkësinë e të tjerëve. Mendo për ato gjatë pushimeve. Kisha lokale nuk kishte si qëllim të jetë një mbledhje sociale për çiftet e martuara me fëmijë. Ajo përfshin besimtarë në të gjitha llojet e situatave. Vejushat mund të kenë vështirësi financiare, prandaj kujtojini ato, na thotë Pali. Vejushat mund të jenë burime të mëdha qetësimi dhe ngushëllimi për të tjerët. Përvojat e jetës së tyre japin këshilla të mëdha. Nëse i harrojmë, ato mund të veniten nga sytë tanë. Kujtoni të vejat.

5. Kujtoni të gjithë në trup (1 Korintasve 12:12). Zoti na mëson që asambleja lokale është një trup. Trupi i njeriut është një ilustrim i mirë – çdo pjesë është e nevojshme. Ne priremi të favorizojmë pjesët që shohim. Ato pjesë të trupit që nuk i shohim – shërbesat e qeta, vëllain apo motrën besnike që nuk dëgjohet kurrë në publik, mund të na duket si më pak i rëndësishëm. Mirëpo asnjë gjymtyrë nuk mund të thotë që nuk ka nevojë për një gjymtyrë tjetër. (Dhe, me që ra fjala, asnjë gjymtyrë nuk mund të thotë unë nuk jam pjesë e trupit!). Ndalo dhe mendo për besimtarët jo publik. Edhe ata janë frymërorë. Edhe ata mund të luten. Ata kanë një shërbesë jetike. Kujtojini ata.

Me tërë këto që duhet të kujtojmë, duhet t’i zbrazim depozitat e kujtimeve tona nga ato gjëra të pakëndshme dhe të padobishme. Pastaj kujtoni ato që duhet të kujtoni.

Lini një përgjigje

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

%d bloggers like this: