L. 1, Rruga Reshit Çollaku, Pogradec info@asamblejabiblike.al +355695720550
Kujt kishe i perket?

KUJT KISHE I PËRKET?

Të kesh një zemër mjaft të madhe për të gjithë njerëzit e Perëndisë

Ndërsa Pali sodiste unitetin e të gjithë besimtarëve të vërtetë, ai shpërtheu në një thirrje të shtatëfishtë: «Është një trup dhe një Frymë, sikurse ju u thirrët në një shpresë të thirrjes suaj. Një Zot, një besim, një pagëzim, një Perëndi dhe Atë i të gjithëve, që është përmbi të gjithë, përmes të gjithëve dhe në ju të gjithë» (Efesianeve 4:4-6).

Ne duhet të synojmë që të zotërojmë të gjithë të vërtetën të zbuluar për ne në Shkrimin e shenjtë; por nuk duhet të harrojmë kurrë se ata që kanë më pak dritë, nëse janë fëmijë të Perëndisë, i përkasin të vetmes Kishë.

Asnjëherë nuk është zotëruar e gjithë e vërteta nga një kishë lokale. Prapëseprapë, Kisha e Tij ka ekzistuar në çdo epokë që nga dita e Rrëshajave. Letrat e fundit tregojnë se dëshmia tokësore e Kishës – në kishat – po bëhej shpejt e dobët dhe jo besnike dhe historia e këtij dështimi është shpalosur për ne në letrat drejtuar shtatë kishave (Zbulesa 2 dhe 3).

Çështja e Kishës prek zemrat tona, ndërsa kujtojmë atë varg të ëmbël: «Sikurse edhe Krishti e ka dashur Kishën, dhe e ka dhënë Veten e vet për të» (Efesianeve 5:25). Nëse jemi të Tij, ne i përkasim Kishës që Ai e deshi. Çfarë siguri ngushëlluese që është kjo. Ne nuk jemi objekti i një bashkimi kishtar njerëzor, por [bashkim] i dashurisë së Krishtit, që e çoi drejt dhënies së Vetes së vet për Kishën e Tij (Mt. 16:18), e ndërtuar nga Ai vetë, për Veten e Tij.

PËR HIR TË TRUPIT TË TIJ

Por akoma më i dashur është mendimi i Kishës si Trupi i Krishtit. Me siguri kjo na flet për një bashkim të gjallë me Krishtin, që i përkasim Atij. Dhe është në këtë aspekt të Kishës që për Të flitet si i vetmi Krye [Kokë] i saj, «Krye përmbi çdo gjë Kishës» (Efesianeve 1:20), ndaj të cilit Kisha i nënshtrohet (Efesianeve 5:24).

Epërsia kishtare njerëzore e ka karakterizuar kaq shumë historinë e Kishës, që ne jemi mësuar ta konsiderojmë thjesht dinjitetin dhe drejtimin me kreun e Kishës. Por nuk është kështu me Zotin tonë. Si Kreu, Ai e ushqen atë (Efesianeve 5:29); dhe çdo shërbim i Tij është fryt i kujdesit të dashur për gjymtyrët, «për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e Trupit të Krishtit» (Efesianeve 4:12).

Instinkti i njeriut është prishur kaq shumë nga Rënia, që vetë feja e tij mund ta drejtojë për të sulmuar Kishën. «Sa për zellin, përndjekës i Kishës» (Filipianeve 3:6), shkroi Pali. Më pas persekutuesi dëgjoi zërin e Kreut: «Përse më përndjek [Mua]?»

MREKULLIA E QIELLIT!

Ç’privilegj t’i përkasësh kësaj Kishe! «Që nëpërmjet Kishës, në kohën e tashme u manifestohet principatave dhe pushteteve, në vendet qiellore, dituria e shumëllojshme e Perëndisë» (Efesianeve 3:10); dhe jo vetëm tani, por në përjetësi Perëndia do të lavdërohet në atë (shih Efesianeve 3:21).

Pra, kur konsiderojmë Kishën, ne duhet të kthehemi te Krishti. Ai e deshi dhe dha Veten për të. Kisha përbëhet nga të gjithë ata që kanë shkuar te Perëndia nëpërmjet Tij, dhe të cilëve Ai u ka zbuluar Atin (Heb. 2:12).

Më kujtohet çfarë pikëpamje të gabuara kisha për Kishën në djalërinë time, që e mora nga disa teologë të njohur. Disa prej nesh mburreshim se ishim «të lirë», të tjerë «të themeluar», ndërsa disa të tjerë gëzoheshin që ishin «të pavarur». Por pa kaluar shumë kohë, me hirin e Perëndisë, zbulova që nuk isha i lirë me të vërtetë, [që nuk] isha i themeluar frymërisht dhe nuk isha vërtet i pavarur.

Isha katërmbëdhjetë vjeç dhe shërbyesi [«pastori»] kishte një grup që i përgatiste të rinjtë e kongregacionit si anëtarë të kishës. Megjithëkëtë, kjo përgatitje vetëm sa më bindi që unë nuk isha një anëtar i Trupit të Krishtit, që unë nuk i përkisja Atij dhe prandaj ishte pesë me hiç që unë t’i bashkohesha një kishe. Atëherë, si u bëra një anëtar [gjymtyrë] i Krishtit dhe që t’i përkisja Kishës së Tij?

Unë mendoja se duhet të bëja më të mirën dhe se dashuria për Perëndinë të ishte qëllimi im kryesor në jetë për [të gjetur] shpëtimin. Por përpjekjet e mia dolën të kota. Unë kuptova që nuk e desha, as nuk mund ta doja Perëndinë me të gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën time; mjerimi im u shtua me këtë zbulim.

Pastaj dëgjova nga Gjoni 3:16 mesazhin shpëtues të dashurisë së Perëndisë për mua. E besova atë dhe pata sigurinë e jetës së përjetshme.

Tani unë i përkas Atij. Por lexova që «Krishti e ka dashur Kishën, dhe e ka dhënë Veten e vet për të» (Efesianeve 5:25). Dhe kështu çështja e Kishës u bë e qartë për mua. Nuk duhej as që të bashkohesha, as nuk duhej të bëja asgjë për të qenë pjesë e saj. Duke qenë i Krishtit, tani unë isha në të [Kishën]. Ka qenë një privilegj i gëzueshëm që t’u dëshmoj atyre nën zgjedhën e unitetit papnor, ose nën barrën e një grupi tjetër të përbashkësisë së Kishës, se është vullneti i Perëndisë që çdo kishë lokale duhet të jetë e bashkuar në Krishtin «bashkë me të gjithë ata që në çdo vend e thërrasin Emrin e Jezu Krishtit» (1 e Korintasve 1:2).

— J. S. Anderson

Lini një përgjigje

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

%d bloggers like this: