L. 1, Rruga Reshit Çollaku, Pogradec info@asamblejabiblike.al +355695720550
Çështje praktike të adhurimit

ÇËSHTJE PRAKTIKE TË ADHURIMIT

Sigurisht që ka gjëra që mund të mësojmë rreth artit të adhurimit

Është e dukshme se kemi një interesim të përtërirë të adhurimit. Në shumë konferenca dhe asamble do të dëgjoni një seri mesazhesh mbi këtë temë, zakonisht nga një kërkesë specifike e pleqve ose të tjerëve.

Thyerja e Bukës është shprehja publike parësore e adhurimit si kishë. Është në këtë takim që besimtarët e ushtrojnë priftërinë mbretërore (1 Pjetrit 2:9). Nuk mund të mendoj një privilegj më të madh për besimtarin, sesa të ulet me besimtarë të tjerë dhe të adhurojnë Zotin.

Por ndonëse shumë e pranojnë rëndësinë e adhurimit, mbetet një pyetje: «Si mund të jem një adhurues? Çfarë mund të bëj që të jem i përgatitur për të adhuruar (qoftë në mënyrë të dëgjueshme ose të padëgjueshme) kur asambleja mblidhet për thyerjen e bukës?» Ndonëse mësimi se si të jesh një adhurues nuk mund të thjeshtohet në hapa mekanike, më poshtë jepen disa gjëra praktike që mund të bëj për të më ndihmuar të jem një adhurues.

1. Mëso të identifikosh, në mënyrë specifike, gjëra që Bibla thotë rreth Zotit. Libri më i mirë mbi adhurimin është Bibla. Kur mblidhemi për të adhuruar, Perëndia nuk na kërkon të jemi krijues në mënyrë poetike në formulimin e shprehjeve të mendimit. Ai tashmë na e ka dhënë në Bibël materialin e adhurimit. Ndërsa lexon, gjeje kohën për të hasur pohime që e lartësojnë vetë Zotin. Për shembull, vini re pikturat ose përshkrimet e shumta të Zotit që Perëndia ia dha Izraelit.

Për pak ndihmë që të mendojmë kështu, më lejoni t’ju rekomandoj (me pak anësi) «Adhurim dhe përkujtim – 52 përsiatje mbi Mikun e mëkatarëve», nga Daniel Smith, i disponueshëm nga Gospel Folio Press. Çdo shtëpi e interesuar për adhurimin duhet ta ketë këtë libër. (Shënim për pleqtë e asambleve: konsideroni që të blini një për çdo familje në asamblenë tuaj).

2. Mëso të dallosh midis bekimeve që marrim dhe karakterit të Atij që na bekon. Kur në fillim shpëtohemi, ne nuk mund të rrimë pa u mahnitur nga përfitimet e shumta që vijnë mbi ne. Falja e mëkateve, përbashkësia e besimtarëve, kujdesi dhe ngushëllimi i Perëndisë – dhe vazhdon pa pushim. Por ndërsa mendojmë për bekimet tona, duhet të na bëjnë të mendojmë për atë Perëndi që na bekon në këtë mënyrë. Çfarë Perëndi i do kaq shumë mëkatarët, sa të dërgojë Birin e Tij të vetëm që të vdes për ata? Përse Zoti duhet të vuajë dhe të vdes në këtë mënyrë? Me fjalë të tjera, unë nuk mendoj më për «mua» dhe «e mija», por Ai. Qëndro i përqendruar në Krishtin dhe ju do të jeni një adhurues.

3. Ji i njohur me himnet e adhurimit. Jo çdo himn në librin e himneve është himn adhurimi. Nuk kanë pse të jenë të tillë. Disa himne na inkurajojnë në lutje, në shërbimin e krishterë ose që të ecim më afër me Zotin. Kemi edhe himne ungjilli dhe dëshmie personale. Kur ke të bësh me Thyerjen e Bukës, identifiko himne adhurimi. Është mirë të dimë ato himne që flasin për Krishtin dhe vdekjen, ringjalljen, ngritjen e lavdinë e Tij. Shqyrtoje, në fakt këndoje, librin e himneve gjatë javës.

4. Dëgjo adhurues me përvojë rreth teje. Asnjë prej nesh nuk është një adhurues i përsosur. Dhe nuk duam që thjesht të imitojmë njëri-tjetrin. Megjithëkëtë, ne mund të mësojmë nga njerëz të perëndishëm përreth nesh që kanë mësuar diçka rreth adhurimit. Dëgjo se si mendojnë ata për Zotin. Vëzhgo mënyrën se si e trajtojnë Shkrimin. Vini re harmoninë e adhurimit të tyre. Dëgjo dhe mëso.

5. Kujto që edhe adhurimi i padëgjueshëm është adhurim. Të gjithë besimtarët, burra dhe gra, janë thirrur për të qenë adhurues. Motrat janë jetike në adhurimin tonë. Nuk është e rëndësishme vetëm ajo që dëgjohet nga ne, por ajo që dëgjohet nga Perëndia. Atmosfera frymërore e një takimi përkujtimor ngarkohet shpesh me adhurimin e perëndishëm të adhuruesve të padëgjueshëm. Adhurimi që japin gratë, edhe pse i padëgjueshëm për ne, është thelbësor.

6. Ji një adhurues shtatë ditë në javë. Ndonëse Thyerja e Bukës është shprehja publike parësore më e dukshme e adhurimit si një kishë, kjo nuk do të thotë që ne nuk mund të jemi adhurues çdo ditë të javës. Ka të pakën një gjë të mrekullueshme që mund të vëmë re çdo ditë. Ndërsa i mbledhim këto mendime, adhurimi ynë në Ditën e Zotit do të jetë i plotë.

Le të inkurajojmë ushtrimin e adhurimit te të rinjtë, të vjetrit dhe tek ata të moshës mesatare. Nuk ka adhurues të përsosur. Dhe nuk kemi nevojë për kritik të adhurimit. Por ne mund të vendosim të mësojmë që të jemi nga ata adhurues që po kërkon Perëndia, sepse «po vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati» (Gjoni 4:23).

–Brian Gunning

Lini një përgjigje

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

%d bloggers like this: